Friday, February 26, 2010

PER ETIKEN NE TELEVIZION...

Ti, unë, ai, ajo, ne… rrimë para ekranit dhe shohim një gazetaro-analisto-opinionist, që rri gjysmë i shtrirë në studio, i shkujdesur, gati si unë këtu në kuzhinë dhe i cili pret t’i vënë tek qafa një jastëk, gati si unë këtu në kuzhinë.

Me një vetëkënaqësi shembullore në fytyrë, ai të jep përshtypjen se i di të gjitha: ai është politikani, ai është sociologu, ai është esteti, ai është kritiku letrar.

Ai është njeriu që të ngjall neveri.

Dhe ndërkaq, përkundrazi, gazetari që e interviston, e shikon me adhurim.

Vetë ekrani, përveç misionit informativ, ka në vetvete përcjelljen e kulturës, kulturës në kuptimin më të thellë dhe më të plotë të saj, që nga mesazhi dhe mendimi inteligjent deri tek sjellja dhe etika qytetare.

Dhe kjo është përgjegjësi, në radhë të parë, e vetë gazetarit.

Jo pak nga folëset tona, shfaqen në kuadratin e ekranit, jo me aftësi dhe merak profesional, por si modele, që presin që ti të mahnitesh dhe t’i duartrokasësh.

Kur ato transmetojnë një lajm, ti lehtësisht e kupton, që ato s’kanë kurrfarë lidhjeje me të, pra me lajmin dhe buzëqeshin e nënqeshin, sikur të jenë në një pub, në një kafe. Dhe doemos, gjesti është i tillë për të të tërhequr vëmendjen, nga fytyra dhe veshja e tyre, dhe jo nga ajo çfarë thotë teksti i lajmit. Ti qesh dhe gajasesh, kur ajo, spikerja, një informacion, për tre të vrarë në Pakistan, e përcjell me një shprehje pikëlluese, në mimike dhe me një kantilenë kaq prekëse, sa të krijohet përshtypja se po jep lajmin e vdekjes së tezes apo xhajës së saj. Apo kur Presidenti Obama dhe zonja e tij e pare, Mishel, këmbejnë një batutë me miqtë e tyre, artistët e Hollivudit, spikerja jonë kënaqet edhe ajo dhe fytyra i qeshet dhe kantilena bëhet gazmore.

Konkurrentët e përvitshëm për në Fakultetin e Gazetarisë kanë një përqindje mjaft të madhe edhe nga ato gjimnaziste, por edhe gjimnazistë, që këtë profesion e kuptojnë në mënyrën më vulgare dhe më banale: Pas 4-5 vjetësh, ato do të jenë bukuroshet e ekranit, do të jenë VIP-at e nesërm, që do të mbushin blutooth-in e “Gazetës shqiptare” dhe Shqipërinë.

Janë të paqarta motivet e pranisë së këtyre lloj folëseve në disa nga televizionet tona, por paaftësia shfaqet fare qartë.

Siç dihet, gazetaria është një nga profesionet më të vështira, që kërkon mundim, lodhje dhe kulturë. Siç thonë edhe gazetarët e vjetër, ata të vërtetët, edhe pas 15-20 vjetësh, edhe në fund të jetës, e ke të vështirë të thuash: “Unë jam gazetar”.

Gazetaria e shkruar dhe ajo televizive janë një dhe që të dyja kërkojnë njohje të jetës dhe të librit. Të gjithë ne dhe veçanërisht spikeret e televizioneve tona, kanë përditë mundësinë të kryejnë një universitet: Folëset e BBC, CNN, CBS, SKY NEWS, RAI, ZDF, TV MONDE... i sheh edhe në terren, tek raportojnë një ngjarje, në studion e lajmeve. Dhe përherë, me dinjitet dhe etikë qytetare, që e shfaqin dhe me veshjen korrekte, dhe me shije. Me gjithçka.

Gazetari nuk është hetues. A nuk është fyese, kur sheh një gazetar, i cili, me një qëndrim fodull dhe me një sjellje arrogante - thënë troç, rrugaçërore, në vend thjesht që të pyesë dhe pastaj i qetë, të presë përgjigjen, përpiqet me ngulm të imponojë? Nuk ka ndodhur vetëm në një rast apo në pesë raste, që kur një i intervistuar X i shmanget përgjigjes dhe largohet, kolegu ynë, vazhdon ta ndjekë atë, rrugicë më rrugicë, derë më derë e kthinë më kthinë dhe me mikrofonin që tanimë ia ka vënë në fyt, është më se normale të presë edhe ndonjë bërryl turinjve. Që në çastin e parë, me heshtjen e tij, shikuesi e pa refuzimin. Përse vazhdohet më tej? Që je gazetar i shkathët? Kjo vetëm shkathtësi nuk është.

Po këtë pamje të shëmtuar, e sheh jo rrallëherë edhe nga ndonjë drejtues në studio që “çan e ndan” për t’i nxjerrë tjetrit me dhunë nga goja atë që ai tjetri, cilido qoftë, nuk dëshiron ta thotë.

Kjo mënyrë e pasjellshme dhe jo profesionale fyen jo vetëm atë që intervistohet, por edhe mua që po të ndjek ulur këtu në kuzhinë.

Shprehjet: “Dua të ma thuash sinqerisht”, “Dua të më thuash të vërtetën”, të cilat me një gjuhë të egër prej hetuesi, i drejtohen të intervistuarit, fyejnë dhe irritojnë po aq edhe shikuesin.

Dikush mund të thotë dhe thotë: “S’të pëlqen? Ndërro stacion, i dashur”.

Shikuesi, sigurisht, nuk pret perfeksion profesional në çdo kanal televiziv, por një etikë profesionale dhe një sjellje normale qytetare, ekrani dhe i zoti i tij është i detyruar t’ia japë.

No comments: