Friday, February 26, 2010

Ekonomia dhe etika, sa larg njëra-tjetrës

Nga Adrian Civici
Marrë nga Gazeta Panorama
Në Shqipëri për etikën flitet pak dhe akoma më pak, për fenomene e dukuri të të gjitha fushave e sferave, që duhet t’i nënshtrohen filtrit apo gjykimit etik. Po të diskutosh sot me politikanët, vendimmarrësit, biznesmenët, konsumatorët apo thjesht me qytetarët shqiptarë, ose nuk e kanë idenë se çfarë është etika si koncept dhe normë, ose e barazojnë thjesht me moralin në përgjithësi dhe buzëqeshin duke thënë se ajo është diçka fetare dhe jo të gjithë janë priftërinj apo hoxhallarë, ose në rastin më të mirë shprehin keqardhjen se shoqëria shqiptare ka vërtet shumë nevojë për etikë në gjithë hallkat e saj. Kjo është mëse e vërtetë dhe në aktivitetin ekonomik në përgjithësi e funksionimin e biznesit në veçanti. Në Shqipëri, ekonomia dhe etika duken si një binom shumë problematik e mjaft larg njëri tjetrit. Etika gjithnjë e më pak është pjesë e programeve shkollore apo curriculum-eve universitare, sidomos atyre në fushën e ekonomisë dhe financave. Ndërkohë, pasojat negative të kësaj “distance” të gjithë i ndjejmë çdo ditë, dhe për më tepër ato duket se janë në vend të fundit apo dhe fare jashtë fokusit të aktivitetit të përditshëm të të gjitha niveleve.

Kriza aktuale ekonomiko-financiare që tronditi gjithë botën i dedikohet në një masë të konsiderueshme edhe mungesës apo mosrespektimit të normave e standardeve etike. Shumë “arritje apo zhvillime spetakolare të tregjeve dhe inovacioneve financiare” që gjeneruan krizën financiare u “frymëzuan” dhe gjetën rrugë të lirë pikërisht nga neglizhimi apo injorimi i standardeve dhe normave etike. Në thelbin e paketave “antikrizë” apo strategjive afat-mesme e afat-gjata të zhvillimit ekonomik e financiar po gjejnë vend gjithnjë e më shumë “preokupimet për futjen dhe konsolidimin e rregullave etike sa më transparente e të domosdoshme për t’u zbatuar në çdo hallkë të ekonomisë, financave dhe menaxhimit”. Por, etika del në skenë vetëm kur bëhet fjalë për ekonominë, financat dhe tregtinë ndërkombëtare. Më shumë se kaq, etika konsiderohet si element çelës në politikat ekonomike nacionale. Mënyrat e përdorimit të buxheteve nacionale, standardet dhe përdorimi i investimeve publike, paketat fiskale, mënyrat e funksionimit të sistemeve tatimore e doganore, cilësia dhe vërtetësia e aplikimit të normave e standardeve antimonopol, mbrojtja e mjedisit, përdorimi apo shpërdorimi i territorit nëpërmjet aplikimit të ligjit apo klientelizmit, ekzistenca apo mungesa e bursës, ekzistenca apo falimentimet e bizneseve, bilancet kontabël transparente apo të dyfishta, procedurat dhe rregullat e kreditimit, etj., janë pjesë e rëndësishme e spektrit të veprimit të normave e standardeve etike që implikojnë çdo çast qeverinë, bizneset, bankat, konsumatorët, OJF-të, etj.

Etika ka për mision t’i përgjigjet pyetjeve të tilla si: “Çfarë është e mirë”, “çfarë është e drejtë”, “çfarë është e arsyeshme”, etj. Thelbi i këtij reflektimi dhe pasoja direkte e tij, “marrja e vendimit” apo “dhënia e urdhrit” përcaktohet nga morali i aktorëve vendimmarrës të çdo niveli qofshin, kryeministër, ministër, drejtor, menaxher, pronar biznesesh, financier, ekspert kontabël, kryetar partie, deputet, qytetar, konsumator, etj. Cilat janë normat etike me të cilat ata janë formuar apo janë të aftë të zbatojnë në aksionet e tyre të përditshme? Substanca thelbësore e kësaj analize e ka zanafillën që në kohën e Greqisë së vjetër dhe Aristotelit, i cili në disa nga veprat e tij më të rëndësishme analizon diferencën ndërmjet “oekonomisë” dhe “”krematistikës” , ose ndryshe ndërmjet “fitimit” si rezultat i punës së ndershme dhe “artit të pasurimit” ose fitimit të pandershëm. Në kohën e sotme, ky shqetësim mund të përkthehet si veprim në emër të interesave të ngushta personale, përdorimit të forcës së pushtetit, shfrytëzimit të klientelizmit politik e ekonomik, përdorimit të mbulesës politike si mbrojtje ndaj abuzimeve, përdorimit të retorikës demokratike dhe lirisë si mbulesë e korrupsionit, etj., me qëllim të vetëm “fitimin me çdo kusht”.

Në këtë këndvështrim, duket sikur 24 shekuj mbas Aristotelit shoqëria, politika dhe biznesi shqiptar janë partizanë të zjarrtë të “krematistikës” aristoteliane. I zoti, i shkathët, i aftë, “kopil”, “i paparë”, etj., quhet apo cilësohet masivisht çdo individ, biznes, funksionar publik, politikan, etj., që arrin të fitojë maksimalisht në çdo nivel, rrethanë apo stad të pushtetit politik, ekonomik apo financiar ku ndodhet e ka mundësi ta përdorë. Duket se merita më e madhe është “aftësia për të fituar” dhe “fitimi me çdo mënyrë”. Në çfarë kushtesh?, me çfarë niveli transparence?, me çfarë mënyrë?, me çfarë pasojash për shoqërinë apo thjesht “për të tjerët”?, etj., duket sikur janë pyetje që nuk ja vlejnë të bëhen. Shoqëria jonë në shumicën dërrmuese të rasteve “mbyll sytë” dhe e pranon si normale një sjellje të tillë, politika në shumë nga hallkat e saj, si pasojë e nevojës për mbështetje apo përfitim ekonomik e përkrah apo e lufton në funksion të interesave dhe luftës politike, biznesi në shumë raste “suksesin” e barazon vetëm me sasinë e parave të fituara, individët janë gati të pranojnë çdo lloj “kompromisi” në treg dhe çmim pa u merakosur për “origjinën” e produktit dhe pasojat e tij në shkatërrimin e konkurrencës, prishjen e mjedisit, kushtet e punës, mirëqenien e përgjithshme sociale, etj.

Në kushtet e sotme, ekonomia dhe etika po shihen të lidhura ngushtë edhe nën këndvështrimin e efektit të madh që kjo lidhje jep për cilësinë e funksionimit të ekonomisë së tregut dhe shtetit të së drejtës. Të dy këta elementë fondamentale e mjaft problematikë për shoqërinë, ekonominë dhe politikën shqiptare duhet të bazohen në koncepte etike në kuadrin ë një sistemi tërësor vlerash. Së pari, fakti që respektimi dhe aplikimi i kontratave të çdo lloji (biznesi, politike, sociale, etj) nuk mund të mbulohet 100% nga efektet dhe sanksionet e ligjeve. Shumë veprime me to varen edhe nga etika e atyre që i zbatojnë apo kontrollojnë, d.m.th., nga objektivat që kanë në procesin e zbatimit apo finalizimit të tyre. Respektimi i të drejtave të pronësisë apo përdorimi i tyre si armë të luftës politike e ekonomike, respektimi i objektivave politikë apo ekonomikë në qeverisje në të gjitha nivelet të cilat fillimisht kanë dalë si premtime elektorale, respektimi i pritshmërive të ekonomisë apo financave të vendit duke bërë çdo reformë e konsensus të domosdoshëm në emër të zhvillimit të qëndrueshëm, krijimi i transparencës së nevojshme dhe besimit të përgjithshëm në aplikimin e buxheteve qendrore e lokale jashtë çdo koniunkture e interesi politik apo personal, kalimi i bizneseve nga informaliteti në formalitet, etj., nuk varen vetëm nga frika e ndëshkimit nga ligji, por edhe nga një sistem i përbashkët vlerash të të gjithë shoqërisë. Një ekonomi tregu që glorifikon vetëm vlerat e “këmbimit të lirë” apo “lirisë absolute individuale” nuk duhet të konsiderohet si zgjedhja më e mirë. Së dyti, dhe kjo është akoma më bazike për shoqërinë shqiptare sot, është roli dhe pesha e etikës profesionale. Pavarësisht nxitësve apo sanksioneve ligjore, çdokush që ushtron një profesion të caktuar duhet të ketë përgjegjësi të forta etike e morale përballë shoqërisë. Çdo profesion, aq më tepër ato të lidhura me ekonominë, financat apo ligjin duhet të ndjejnë peshën e etikës së profesionit të tyre, peshë që në shumë vende të zhvilluara të botës e ushtrojnë me shumë etikë dhe përgjegjësi kolegjet apo organizatat e ndryshme profesionale. Në Shqipëri ky lloj roli dhe përgjegjësie e shoqatave apo organizatave profesionale mbetet për t’u zhvilluar sa më shpejt e cilësisht që të jetë e mundur.

Historia na dëshmon se shumë vende e shoqëri ja dedikojnë suksesin në zhvillimin ekonomik e social edhe rolit të etikës në sjelljen e individëve, bizneseve dhe institucioneve. Thelbi i këtij suksesi qëndron në kalimin nga stadi i “etikës limituar individuale” në stadin e “etikës së përgjithësuar”. Etika e limituar i aplikon vlerat dhe detyrimet e saj vetëm në ambiente të ngushta familjare, klanore, politike, sociale apo biznesi. Përtej këtij mjedisi e lidhjeje, gjithçka është etikisht dhe moralisht e pranueshme. Përkundrazi, etika e përgjithësuar nënkupton që normat e saj të bëhen pjesë e gjithë ekonomisë apo shoqërisë dhe çdo politikë ekonomikë apo publike, çdo sjellje e kategorive të ndryshme profesionale ti përmbajë në thelb vlerat dhe normat etike. “Etika e përgjithësuar” krijon shumë më tepër besim reciprok ndërmjet aktorëve kryesorë të një ekonomie apo shoqërie duke bërë që ekonomia e tregut të funksionojë më cilësisht. Shumë studime në fushën ekonomike e politike dëshmojnë e sugjerojnë se adoptimi nga shoqëri të ndryshme i normave etike të përgjithësuara ka qenë dhe mbetet një element qendror që shpjegon zhvillimin e tyre ekonomik si dhe cilësinë e funksionimit të institucioneve të tyre. Edhe Amartya Sen, çmimi “Nobel” i ekonomisë, në librin e fundit të tij të titulluar “ Etika dhe ekonomia” nënvizon se “shumë nga mosfunksionimet e ekonomive në vende të ndryshme të botës mund të shpjegohen edhe si pasojë e mungesës së etikës dhe normave të saj në procesin e funksionimit dhe administrimit të tyre...neglizhimi i etikës prodhon vazhdimisht konflikte dhe cenon rëndë efeciencën e çdo ekonomie”.

Këto vende e kanë “mbjellë” etikën e përgjithësuar në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme që fillojnë me edukimin shkollor e universitar, me rolin e masmediave në shpërndarjen e normave më të mira etike, me sjelljen e mbajtjen e përgjegjësinë publike të vendimmarrësve, me ushtrimin e “presionit etik” nga e gjithë shoqëria ndaj çdo kategorie vendimmarrësish apo drejtuesish publikë, etj. Me një fjalë, e gjithë shoqëria dhe institucionet e saj kanë bërë një hap të madh përpara në kuptimin dhe zbatimin e saj në çdo hallkë.

No comments: