Friday, February 26, 2010

Objektiviteti i medias

Objektiviteti i medias



Nga:Genti KRUJA


Jetojmë në një realitet që e krijojmë vetë ne njerëzit. Realiteti ndryshon nga njeriu në njeri përderisa normalja mund të kthehet në anormalitet dhe e kundërta. Jetojmë në një realitet krejtësisht infinit që s’përfundon kurrë, as atëherë kur marrim fund edhe ne. Çdo gjë ekziston në një numër infinit vendodhjesh, epokash, historish, dekadash, ngjyrash, formash, trajtash, përmasash, sasish, interesash, lakmish, bukurish, konceptesh, kuptimesh, idesh, mënyrash, arsyesh, etj. të ndryshme infinite. Jetojmë në një realitet sa të plotë dhe mbushur në kulm, aq edhe të zbrazët!

Është realiteti i asgjësisë dhe i gjithçkasë njëkohësisht. Është realitet filozofik, sa i lindur aq edhe i krijuar gjatë jetës. Realitet sa i vërtetë aq edhe i sajuar, sa i mësuar aq edhe i pamësuar!


I. Realiteti i mediave shqiptare


Gazetaria shqiptare mund të thuhet që ka marrë hov të madh në vitet postdiktatoriale. Gjatë periudhes së komunizmit, gazetat e pakta, ishin pak a shumë të një rryme e të një niveli ku binte qartë në sy propaganda për pushtetin e Partinë e Punës. Nuk mund të flitej absolutisht për Liri Shtypi dhe shkrimet duhet të kalonin filtrin e censurës përpara se të publikoheshin. Pasi regjimi komunist ra dhe me ndryshimin e legjislaturës u bë e mundur hapja e gazetave dhe revistave të para private, numri i të cilave u rrit në përpjestime të mëdha aq sa në pak vite Shqipëria u bë vendi evropian me numrin më të madh të gazetave në raport me popullsinë. Ky numër i madh erdhi jo vetëm si pasojë e lirisë së shumëkërkuar, por dhe si pasojë e subvencionimeve dhe ndihmës së shtetit i cili i përjashtoi nga tatimet dhe u la rrugë të lirë veprimi. Dhe ky numër kaq i madh gazetash lindi problemin e gazetarëve të cilët nuk ishin të mjaftueshëm. Kështu në to shkruanin shumë persona që nuk kishin mbaruar akoma shkollën për gazetari, pra nuk ishin profesionalizuar në atë fushë, prandaj dhe niveli i përgjithshëm linte shumë për të dëshiruar. Herë pas here ka polemika në lidhje me Lirinë e Shtypit ku gazetarë, publicistë etj akuzojnë për ushtrim dhune psikologjike ndaj tyre, një lloj dhune që nuk shihet në aparencë, por që mund të vëzhgohet në thellësi. Të gjithë thonë që si media e shkruar edhe ajo elektronike mezi arrin të mbijetojë nga ana financiare dhe i duket e çuditshme kur gazeta, radio apo televizione të veçanta arrijnë që t’ia dalin me sukses madje dhe të ndërmarrin organizime me kosto të lartë. Media pak a shumë është e polarizuar, pro dhe kundra qeveritare.Të bie në sy sasia e madhe e gazetave dhe revistave që botohen, ku ndoshta mund të zëmë vendin e parë në botë për numrin e mediave të shkruara dhe elektronike për numër popullsie.


Problemet e masmediave në Shqipëri


1. Numri i madh i gazetave dhe cilësia e dobët e shkrimeve, ka sjellur copëzimin e lexuesit, rrjedhimisht i njëjti lexues është shpërndarë në dhjetëra gazeta që pretendojnë se janë kombëtare, por në të vërtetë shpërndahen vetëm në disa qytete kryesore. Për fshatin as që bëhet fjalë.


2. Pothuajse shumë funksionarë dhe ish funksionarë, kanë hapur gazetat e tyre, dhe këto media i përdorin në funksion të politikës në rastin më të mirë, dhe në rastet e tjera rëndomë për mbrojtje të bizneseve dhe interesave të tyre personale, shpeshherë në luftë të hapur edhe me klanet brenda për brenda. Këto lloj gazetash nuk mund të bëhen kurrsesi shprehëse të mendimeve dhe ideve të një shtrese sociale, për arsye fare të thjeshtë, sepse janë në funksion dhe në mbrojtje të interesave vetëm të pronarit të saj dhe grupit që përfaqëson ai.


3. Niveli i ulet ekonomik, standardet e ulëta të lirisë dhe mbrojtës së të drejtave të gazetarëve në veçanti, ka sjellë që ata (gazetarët) të jenë plotësisht të pambrojtur, të rrezikuar në çdo moment nga pronari, me heqje nga puna, me gjyqe dhe me gjoba.


4. Etika gazetareske lë shumë për të dëshiruar, duke filluar që nga informacionet bazë për një ngjarje; pothuajse nuk jepen asnjëherë të dhëna të sakta për një ngjarje të caktuar të ndodhur; deri tek cënimi i të drejtave të njeriut nga vetë gazetarët. Këtu është fjala për abuzime flagrante të shtypit të shkruar dhe të mediave të tjera elektronike, për të dhëna konfidenciale për njerëz të lirë, për foto të ngjarjeve të ndryshme që botohen pa asnjë lloj kriteri, deri tek “dalja” në TV e njerëzve te dyshuar nga policia si autorë të ndryshëm të ngjarjeve që ndodhin. Është e papranueshme që në një gazetë të botohen në faqe të parë foto gati horror të njerëzve të vrarë dhe të masakruar në ngjarje të ndryshme.
Në tranzicionin postkomunist, ashtu si në të gjitha fushat e tjera, edhe media ka notuar në ujërat e turbullta të kësaj faze. Shkaqet e saj kanë qenë të shumta duke u nisur nga moskonceptimi i drejtë i medias nga pronarët e saj që ende kanë diktatin kryesor në fjalën e fundit që do publikohet e deri tek paaftësia e atyre që bëjnë gazetari. Lidhjet mes medias dhe politikës kanë qenë shumë komplekse dhe janë karakterizuar jo pak herë nga kontradita të shumta.


Media e shkruar


Përsa i përket medias së shkruar ajo mbetet disa hapa larg dhe prapa krahas asaj vizive. Tirazhi i saj ditor shkon diku rreth 70.000 kopje. Sigurisht një numër i pakët për një vend me popullsi të arsimuar. Këtë zbehje të tirazhit të përgjithshëm e ka ndikuar edhe TV të cilat janë më të shpejta në dhënien e informacionit. Pikërisht lind këtu nevoja e gazetave për të ndryshuar ‘formatin’ e tyre duke dhënë jo më informacionin e thatë që publiku e ka marrë tashmë nga TV dhe Radiot, por duke shfrytëzuar hapësirat e saj për Analiza, Komente, Opinione, Intervista, Reportazhe etj. Ashtu si dhe media televizive, edhe media e shkruar nuk ka fituar ende pavarësinë e saj qoftë nga politika e momentit po ashtu edhe nga interesat vetjake të botuesve të tyre të cilat më shumë se një mall publik, e shohin median si një mjet ndihmës në biznesin e tyre. Tek ne media mund të jetë gjithçka por vetëm biznes nuk është. Duke u shitur nën kosto dhe me ndihma financiare nga shteti, ajo ende nuk po luan rolin e saj me profesionalizëm.

Niveli i gazetarisë shqiptare


Mënyra e drejtpërdrejtë e të shkruarit, e cila jep FAKTE të sakta pa u bazuar jo vetëm në idetë e njerit apo tjetrit politikan, por as në bindjet e vetë gazetarit nuk ekziston. Si rrjedhojë nuk mund të flasim për shtyp, por thjesht për njerëz të cilët shkruajnë esse apo tregime në varësi me ngjarjet në Shqipëri. Media e pavarur monitoron punën e qeverisë, dhe media jonë nuk arrin ta bëjë këtë si duhet përderisa është e varur ende jo pak nga politika. Është politika dhe politikanë të caktuar që jo pak herë kanë sulmuar gazetat e pavarura në shumë mënyra. Pra nuk kemi një liri të shtypit. Së dyti që ka të bëjë me profesionalizmin dhe etikën e gazetarit. Në gazeta lajmi është larg se vërtetës. Gazetarët nuk rendin pas burimit të lajmit dhe të jenë të përgjegjshëm për atë që publikojnë. Prodhojnë lajme sensacionale për efekt të shitjes së gazetës. (Në një gazetë të njohur të përditshme, lexohej një artikull dallues ”Atentat presidentit” dhe brenda flitej për një president kompanie shqiptare krejtësisht të panjohur). Ndalen kryesisht në kronikën e zezë, dhe kjo është një nga problemet kryesore pasi krijojnë një panik dhe modelojnë një imazh të shëmtuar të shoqërisë shqiptare. Çdo ditë kemi shembuj të krimit dhe dhunës në familje, por pasqyrohet thjeshtë fenomeni dhe nuk ndalet në përgjegjësitë dhe organet kompetente e t’i diskreditojë ata për pasivitetin dhe indiferencën për të zbutur fenomenin. Po të shfletosh gazetat, është faqja e politikës, ekonomia, kronika e zezë, sporti, por, ajo që është më e rëndësishmja, faqja sociale, është shumë e varfër. Dhe duke ditur se problemet më të mëdha të shqiptarëve sot janë ato sociale, dhuna, krimi, papunësia, varfëria, problemet e emigrantëve, arsimi, etj., këto trajtohen si probleme të dorës së dytë. Nuk merret asnjë gazetë të pasqyrojë politikat sociale që ndiqen në vend. Flitet gjerë e gjatë për partitë politike, konferencat e tyre të shtypit dhe politikanët që replikojnë me njëri-tjetrin, por jo për problemet e hallet e popullit, por për karriget dhe mbijetesën e tyre në politikë. Pra shtypi nuk është më pranë popullit, por është më pranë politikanëve, duke ju krijuar atyre një terren të kënaqshëm. Këtu janë analistët dhe kritikët e shtypit të përditshëm të cilët duhet të analizojnë dhe sulmojnë gazetarët për artikuj më objektivë dhe profesionalë.Nëpër gazeta mungon interesi për problemet e fëmijëve, si të edukohen, si të krijohen kushte për të luajtur, mungon kritika ndaj shtetit që nuk bën asgjë për të hapur shkolla ku fëmijët të mësojnë diçka që t’i vlejë në jetë, vende që të argëtohen ata fëmijë që s’kanë të ardhura, jetimët, pensionistët, etj, etj.


Media dikur dhe sot


Dikur: Deprivim informacioni… Mungesë botimesh, dijesh, mesazhesh… Varfëri e izolim mendimi… Uri për ushqim mendjeje… Njerëz të babëzitur për informacion… Njerëz që kërkojnë përmbajtje, njerëz që qarkullojnë fshehtas faqe të vjetra e të zverdhura vlerash të paplakshme, faqe të reja vlerash të reja të shtëna në dorë rrezikshëm, njerëz që përpijnë mesazhe mendjesh të ndritura.
Sot: Një çorbë informacioni që varion nga artikuj gazetash banale, diskutime politike të degraduara e deri tek arti mediokër prej misesh… Cili është informacioni i kërkuar? Çfarë lexojnë? Çfarë shikojnë? Çfarë u serviret? Përse u hyn në punë? Si e përdorin?


Dikur: Deprivim nga e vërteta.


Sot: E vërteta e zhytur në një oqean infomacioni trivial të preokupuar me banalitete. Kultura nuk mund të matet me sasinë e prodhimit të banaliteteve. Cila pjesë e informacionit përbën vlerë të qenësishme? Në ç’raport është kjo vlerë me pafundësinë e plehërave të servirura nga televizioni, gazetat, revistat dhe botimet dixhitale?


Dikur: Koha e Shtypshkrimit (Influenca e TV ende e dobët) – Libri dhe derivatet e tjera të shtypshkruara ishin burimi kryesor i marrjes së informacionit. Fjala e shkruar mbetet, e folura shuhet.


Sot: Epoka e Televizionit – Ekrani i televizionit (dhe derivatet e tij) është burimi kryesor i marrjes së informacionit. Sigurisht, s’kam asgjë kundër përdorimit të këtyre mediave. Çdonjëra mund të jetë një mjet i fuqishëm në marrjen dhe nxënien e njohurive, në rast se përdoret si duhet.
Por, në ç’mënyrë vallë po përdoren këto media?


Sa herë ju qëllon të shihni rafte me libra nëpër ambiente banimi? Përse kudo që shkon ballafaqohesh me: televizorin e ndezur dhe fëmijë që ose luajnë ethshëm lojëra zbavitëse në kompjuter ose që të përhumbur ndjekin lëvizjet e këngëtareve…Të menduarit gjendet në fraza, në fjalë, në të kuptuarit. Por, televizioni nuk preokupohet edha aq me të menduarin, se sa preokupohet me paraqitjen, me “shoë-n”, me formën dhe me ambalazhimin e informacionit publik si argëtim.Televizioni është një medium. Si i tillë, ai duhet të jetë thjesht mbartës dhe përçues informacioni. Roli i medias është të reflektojë. Por, realiteti tregon se media është shndërruar në instrument krijues. Praktikisht sot televizioni nuk është thjesht instrument përçues, ai është “Kultura e Ditës”, mishërimi i vetë përmbajtjes. Televizioni është shndërruar në “mit”. Kultura e sotme televizive po bëhet një mënyrë e të kuptuarit të botës që nuk ka të bëjë me perceptim problematik, që nuk kërkon vrarje mendjeje, që është pothuaj e pandërgjegjshme ngaqë është bërë e natyrshme dhe është rrënjosur thellë në ndërgjegje e është bërë njësh me të. Është ironike, që televizioni (dhe mediat e ngjashme) në të vërtetë, pothuaj pafajësisht, na e dëmtojnë lirinë dhe aftësinë e të zgjedhurit të informacionit. Thjesht është më e lehtë të ndjekësh televizorin sesa të “lexosh” libër. Thjesht e bëjnë “librin”, si medium të fuqishëm njohurish dhe informacioni, lehtësisht të zëvendësueshëm. Paradoksi nuk është tek kufizimi i informacionit apo tek censura, por përkundrazi tek zgjerimi i mundësive për ta gjetur, tek lehtësia për të nxënë informacion semplist, inferior, pa substancë, e pa kontekst.

No comments: