Friday, February 26, 2010

Etika ne media, debat ne KKRT

01.03.2008 15:17 - Kategoria: Kulture
Problemet e etikës në median elektronike u trajtuan sot, gjatë punimeve të një tryeze të rrumbullakët, organizuar nga KKRT-ja, Këshilli i Etikës pranë saj dhe Instituti i Medias. Në debat merrnin pjesë deputetë, regjisorë, analistë dhe drejtues të mediave në vend. Konkretisht, në debat, u fol mbi tema të etikës në programet televizive, të respektimit të Kodit Etik, të zbatimit të normës së gjuhës shqipe, të ruajtjes së dinjitetit dhe privatësisë së njeriut, të mbrojtjes së të miturve nga dhuna apo nga abuzimi me to. Një vend të veçantë në trajtesën e temave zuri edhe përdorimi i krijimeve të kohës së diktaturës, të cilat në vijimësi po i transmetohen gjithnjë e më shpesh publikut shqiptar. Lidhur me këtë aspekt, kryetari i Këshillit të Etikës pranë KKRT-së, Fatos Lubonja, vërejti se transmetimi sot, i krijimeve të kohës së diktaturës, si filmat apo muzika, të cilat po glorifikohen, duhen parë me sy kritik; nuk është vetëm çështje nostalgjie ndaj së shkuarës, por edhe një rendje pas komercializmit deri dhe në banalitet. Në vijim të kësaj teme, regjisori Saimir Kumbaro, sugjeroi se shumë prej atyre filmave dhe programeve të kohës së diktaturës, që ritransmetohen sot, duhet të shoqërohen para apo pas transmetimit me shpjegimin përkatës se në cilat kushte janë xhiruar, me analiza dhe komente nga kritikë dhe realizues të këtyre filmave.
Po ashtu, deputeti dhe regjisori, Besnik Bisha, theksoi domosdoshmërinë e ndarjes së vlerave nga antivlerat dhe të sensit të masës në autovlerësimin e krijuesve, si dhe të respektimit të profesionalizmit dhe të kritereve etike në median vizive. Në tryezë, diskutuan dhe: anëtari i Këshillit të Etikës, Bashkim Hoxha, i cili në respektimin e normës së gjuhës letrare kombëtare nga operatorët;
Ndërsa tjetër i i këtij këshilli, Remzi Lani, i cili vuri në dukje së çështjet e etikës në respektimin e pavarësisë dhe privatësisë së individit, respektimin e ligjit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, minoriteteve etj; drejtoresha e televizionit publik, Mirela Oktrova, foli për praninë e dhunës në media. Ndërsa kryetarja e KKRT-së, znj. Mesila Doda, informoi lidhur me masat paralajmëruese dhe kërkesat e KKRT-së pranë operatorëve ose organeve të respektimit të ligjit, që nuk zbatojnë normat e etikës dhe dinjitetit njerëzor. Vëmendje të veçantë, shtoi ajo, kemi pasur ndaj gjithë këtij realiteti të risjelljes së krijimeve të sistemit diktatorial komunist, pasi kjo është një dukuri që po kryhet në mungesë të plotë të respektit ndaj shtresave të përndjekura, si edhe në një shtrembërim të fakteve të së kaluarës që po transmetohen gabimisht si vlera në brezin e ri. Krijimi i hapësirave më të mëdha ligjore do të ishte i domosdoshëm për ta kthyer Këshillin e Etikës dhe KKRT-në në një organizëm edhe më aktiv në çështjet e etikës, tha znj Doda

No comments: