Tuesday, February 16, 2010

ETIKA NE MEDIA DHE KOMUNIKIM

Ditën e diel, Kryeministri italian, Silvio Berlusconi, pësoi një agresion fizik nga një qytetar italian, gjatë një evenimenti publik në Milano.
Kryeministri Berlusconi nuk vonoi të argumentonte se kjo ishte një vepër e një personi, i cili i nxitur nga gjuha e ashpër përdorur ndaj tij nga kundërshtarët politikë dhe mediat ndërkombëtare, ka krijuar një imazh prej përbindëshi.
Nuk mund të provohet qartë nëse agresioni ishte pasojë e akuzave dhe fakteve publike ndaj Kryeministrit Silvio Berlusconi por, gjithsesi, agresioni fizik duhet të sjellë një reflektim në komunikimin publik të politikanëve dhe pasqyrimin në media të deklaratave të tyre.
Në Shqipëri, prej më se 3 javësh, jemi të gjithë dëshmitarë të deklaratave të përditshme politike të grupit parlamentar të Partisë Demokratike kundër kundërshtarëve të tyre politikë, kryesisht liderëve të Partisë Socialiste.
Në fakt, me këtë rast, publiku pati mundësinë të njohë disa deputetë që nuk kishin folur ndonjëherë, dhe as do të flasin në këtë mandat të Kuvendit Popullor ndonjëherë për ekonominë, ambientin apo të sjellin shqetësime nga zonat elektorale por, do të lexojnë herë pas herë vetëm deklarata kundër opozitës dhe liderëve të saj.
Emëruesi i përbashkët i këtyre deklaratave të deputetëve demokratë, normalisht pjesa më "intelektuale" e kësaj partie, është fakti se fjalori i përdorur është jashtë etikës, dhe duhet të ngrejë një problem të madh në lidhje me komunikimin publik.
Duke anashkaluar për një moment problemet ligjore që sjell fjalori i përdorur (tashmë janë depozituar disa padi civile dhe penale në institucionet e drejtësisë), duhet që këta politikanë të reflektojmë për etikën e munguar në fjalorin e përdorur prej tyre dhe komunikim e dhunshëm që bëjnë me publikun.
Gjithashtu, si persona publikë që kanë mundësi të flasin në mediume që ndiqen gjerësisht nga publiku (foltorja e parlamentit, emisione politike etj.), ata duhet të ndërgjegjësohen për ndikimin negativ që shkaktojnë në publik.
Unë kam bindjen se shqiptarët janë më të përgjegjshëm dhe me më shumë kulturë se përgjithësisht klasa politike që i përfaqëson dhe besoj se, nuk do të jemi dëshmitarë të ndonjë agresioni fizik ndaj opozitës, por me këtë gjuhë mbushur me urrejtje të përdorur nga pushteti, vetëm pasoja negative mund të priten.
Konstatoj në komunikimin e përditshëm se shqiptarët gjerësisht shprehin prerë mospranimin ndaj kësaj mënyre të komunikuari, madje, edhe nga votues e simpatizantë të Partisë Demokratike. Por, gjuha e ashpër, plot urrejtje dhe jashtë çdo rregulli etik, ka sjellë një tension të përgjithshëm dhe mund të sjellë edhe veprime agresioni nga militant ekstremist.
Një problem tjetër shqetësues që duhet analizuar është dhe roli i mediave dhe gazetarëve në këtë çështje. Një pjesë e medias vizive dhe të shkruar ka pasqyruar fjalë për fjalë të gjitha fjalimet.
Nuk është korrektuar asnjë fjalë, dhe publikut i është përcjellë gjithë fjalori i dhunshëm përdorur nga deputetët e pushtetit. Pasqyrimi që mediat kanë bërë është brenda së drejtës së tyre për lirinë e përhapjes së informacionit dhe, ligjërisht nuk asnjë pengesë ligjore për të mospublikuar fjalorin jashtë çdo etike të politikanëve të pushtetit.
Por, unë shpresoj që vetë aktorët e medias të hapin një debat dhe të krijojnë disa standarde, ku të vetëndalojnë përhapjen për publikut të gjithë rrugaçërisë që përdoret nga klasa politike.
Theksoj dhe një herë se, pengimi nga vetë media i përhapjes së një fjalori jashtë çdo etike, nuk është i mbështetur në ligj por, nga pikëpamja morale media mund të reagojë vetë, duke ngritur standardet e saj të komunikimit me publikun.
Ndërkohë, një pjesë tjetër e mediave, janë përpjekur që jehona e këtyre deklaratave të jetë sa më e madhe. Diku paaftësi për të bërë media, diku tjetër të komanduar nga pushteti, media të tilla kanë thyer çdo rregull të etikës në gazetari.
Ndoshta është momenti që vetë mediumet e gazetarëve dhe pronarëve të medias, duhet të kuptojnë që media nuk është në funksion të biznesit të politikës, por një biznes më vete dhe si i tillë duhet të krijojë standarde.
Në të kundërt, këto media do të ngelen në ato nivele minimale të shitjes, sepse niveli intelektual i shqiptarëve nuk pranon të tilla komunikime.

1 KOMENT
Mire more vella, qe politikanet "i nxiu" me kercenime dhe shpifje.I nxiu pa derguar asgje dhe asnje fakt ne Prokurori.Po me familjet cfare ka?Cdo grua, apo burre i dhunuar, ka te drejte te shkoje PERSONALISHT, dhe te beje DENONCIM, per perdorim dhune verbale dhe fizike, NE CDO KOHE NE POLICI.Cfare dreqin do Sali Berisha?Me cfare te drejte FUT HUNDET, ne ceshtje personale dhe familjare?KRYMINISTRI DHE QEVERIA KANE HALLE TE TJERA ME TE MEDHA/Nuk kane pune me ceshtjet qe meret policia dhe pushteti lokal!NUK KANE PUNE ME JETEN DHE MARDHENIET NE FAMILJE.Sa raste ka zoteria e tij (Ylli Pango, Jemin Gjana, etj) qe dhunojne hapur grate neper dikastere?ME CFARE TE DREJTE I URDHERON AI NJERZIT ( GRATE NE KETE RAST) QE TE DALIN NE MITINGUN E DATES 8 NENTOR ME "FORCE"?A eshte ky njeri SHKELSI NUMER NJE, i asaj qe thote me gojen e vet???O gazetare!Boll dhate lajme per kete njeri qe duhet TE ZHDUKET NGA SKENA POLITIKE-SHOQERORE, nje ore e me pare!BOLL! Vendosni nje bojkot 3 ditor dhe mos shkruani lajme shqetesuese.Tregoni barcaleta dhe mbushini faqet e gazetave vec me lajme pozitive!

No comments: