Friday, February 26, 2010

-DHUNIMI PSIKOLOGJIK I ISMET DRISHTIT!

Shumë herë ndërroja kanalin, ulja zërin e televizorit, i bija telefonit pa përgjigje të Vizion +, e prapë në ekran më dilnin sekuencat më të dhunshme ndaj njerëzve publikë, që një farë Ismet Drishti guxon t’i quajë “kamera të fshehta”.

Pjesë e një emisioni të dështuar si vetë ndjenja e humorit që kujton se ka ideuesi i tij, Game Over që transmetohet çdo të diel në Vizion Plus, më gërric e më nxit më shumë se vetë Berisha apo Nano që të rrëmbej telefonin e të kërkoj të bëj diçka nëpërmjet tij. Si shikuese, dua të ankohem me zë të lartë. Dhe nuk jam e vetmja.

Dhuna psikologjike dhe humori skandaloz që thur Ismet Drishti, është në vetvete dhunimi më i madh që më bëhet mua këndej ekranit. Mund të ndërroj kanalin. Patjetër. Dhe e bëj. Por sërish nëpër kontroll në mes reklamash në kanale të tjerë, rastis sërish të shoh Zhani Cikon, Kledi Kadiun, apo së fundmi edhe Anjeza Shahinin, që kanë rënë pre e të ashtuquajturit “humor” që gënjen mendja se po shpik Ismeti.

Anjeza Shahini po ngiste makinën e saj dhe dikush i afrohet në të e bën sikur rrëzohet, gjoja sikur e shtyp këngëtarja. E bindur se as e ka prekur fare zotërinë (makina ishte me 10 km në orë), Anjeza largohet, për t’u rikthyer në ngjarje nga ca njerëz të papërgjegjshëm që pretendonin se ishin policë. E nxjerrin këngëtaren nga makina, i çojnë duart pas, i hedhin prangat dhe i tregojnë një njeri të shtrirë, të mbuluar me çarçaf. E akuzojnë se ajo e ka shtypur këtë njeri, që pastaj na paskësh vdekur.

Reagimi i Anjezës ishte drithërues. Ajo kërkon sqarime, vë duart në kokë, qan me zë të lartë, kërkon të marrë të atin në telefon dhe gjithë kohën kërkon të shohë personin poshtë çarçafit. “Policët” bërtasin me sa kanë në kokë dhe e shajnë Anjezën si t’iu vijë për mbarë. Ndërkohë, në këtë “skenë të fshehtë humori”, është mbledhur gjithë lagjja, që sheh e habitur ndodhinë e çuditshme.

Anjeza e përjetoi jashtëzakonisht keq gjithë situatën. Dhe kishte rënë tre herë në tokë nga goditja psikologjike e skenës që po i shitej, deri sa Ismet Drishtit iu mbush koka t’i thoshte se kjo na qenkej një lojë.

Po ishte vonë. Anjeza s’po e mblidhte dot veten, e siç tha edhe vetë me vone, për ditë të tëra më pas nuk ishte në gjendje as ta ngiste makinën nga shikimi. Dhunimi psikologjik që iu bë asaj femre ishte aq i madh, sa ajo mendoi të denonconte humorziun Drishti në polici, e të ndalonte në mënyrë kategorike transmetimin e paçavures që ai e quan “kamera të fshehtë”.

Por, fatkeqësisht, pasi kaluan muaj e situata u ftoh, Anjezës disi ia mbushën mendjen dhe “loja” që i bënë u transmetua mbrëmë në Vizion Plus.

Unë do të kisha dashur me gjithë zemër që ajo vajzë të kishte thënë me këmbëngulje “JO” për transmetimin, dhe të kishte shkuar pas hezituar asnjë sekondë të vetme në polici.(megjithw dyshimet pwr funksionimin e vwrtetw tw policisw)

Nëse nuk e bën Anjeza, po e bëj vetë si shikuese. Vërtet nuk jemi në perëndim, ku një numër i caktuar ankesash nga dëgjuesit në një media fluturojnë nga puna emisionin dhe përgjegjësit e tij, ama edhe të rri e të shoh dhunën psikologjike të Ismet Drishtit, nuk mund ta pranoj me lehtësi.

Vetëm personat me çrregullime të theksuara mendore ushtrojnë dhunë publike; ata që kujtojnë se dhuna është humor, mund ta kenë ca më të lartë shkallën e mangësive. E ata që lejojnë që një televizion me shtrirje pa leje në të gjithë territorin, të transmetojë çmendurira e papërgjegjshmëri të tilla, duhet të kenë akoma më shumë probleme me sistemin nervor.

Në milionat e sekuencave me kamera të fshehta nëpër botë, nuk më ka zënë syri ushtrim të atillë dhune për një kohë aq të gjatë gjoja loje ndaj një personi publik.

KKRTSH po fle gjumë e mbase nuk e ka hiç haberin se c’bëhet ekraneve që ajo është ligjërisht e detyruar të monitorojë e të ndëshkojë.

Në këtë rast ndëshkimi do të ishte patjetër për Vizion+, por veprimi më i parë dhe më i sigurt duhet të ishte ndaj një tipi të quajtur Ismet Drishti, që po sakaton mendjet e njerëzve publikë me humorin e tij idiot, të dhunshëm, agresiv, të dënueshëm dhe të ndaluar. Ky person duhet denoncuar dhe idetë e tij duhen zhdukur nga çdo ekran televiziv.

Ku e merr lejen ky njeri të bllokojë trafikun, të dublojë figurat e policisë, të përdorë armë në të gjitha ato pseudo-kamerat e tij të fshehta? Ku e gjen guximin ky njeri të pretendojë se mund të qeshë me dhunimin psikologjik të tjetrit? E aq më tepër, me sa mend pretendon se do bëjë të qeshin edhe shikuesit me prirjet e tij brutale ndaj dhunës?

Më vjen ndër mend edhe kamera e tij e fshehtë me një tjetër personash publik, të cilit i vunë kokën mbi një copë dru pas një fugoni, edhe me një sopat sipër saj i kërkonin gjoja lekët.

Ismet Drishti është dhuna që shëtit pa asnjë teklif nëpër ekrane, duke imponuar një sjellje që është e denjë për masa ndëshkimore ligjore.

Jo vetëm “Stop dhunës”, po stop Vizionit, Idrizit e kujtdo që luan me lëkundjet nervore të njerëzve të drejtë. Ka vërtet njerëz me dërrasa mangët në këtë dynja, po nuk kemi pse t’i shohim ne c’ekuilibret e tyre mendore, të sjella gjoja si “humor”.

Humori më i madh do ishte ta shihja pas hekurave të vërtetë këdo që dhunon hapur dhe publikisht qoftë protagonistët, qoftë publikun e sulmuar nga të tilla paçavure mbushur plot me c’ekuilibra etikë e njerëzorë.

Na mbyti dhuna!

No comments: