Tuesday, February 23, 2010

Etika ne raportimin e dhunes ndaj femres. MALVINA GORREJA


Tema: Dhuna në familje ndaj femrës dhe pasqyrimi i saj në median elektronike.


Dhuna përbën një fenomen delikat që gjithmonë le hapësirë në organet mediatike. Femra është subjekti më i ekspozuar ndaj të gjitha formave të ushtrimit të dhunës, qoftë ajo fizike, psikologjike, seksuale apo ekonomike. Cdo lëvizje në aktivitetin social, në të gjitha dimensionet e saj, monitorohet nga syri mediatik. Në këtë mënyrë media jo vetëm informon audiencën për atë që ndodh, por realisht cdo opinion publik shndrrohet në një promovim të pastër mediatik. Prandaj cdo konsumator i “produktit” mediatik pavarësisht perceptimit individual, influencohet nga mënyra se si media e servir mesazhin. Shpesh lajmet që pasqyrojnë ushtrimin e dhunës dhe që kanë në fokus femrën, trajtohen nga media si fenomene sensacionale. Dhe kjo padyshim e tërheq audiencën...

“Media luan një roltë rëndësishëm në formimin e qëndrimeve dhe vlerave të individëve, si edhe shërben si një instrument i dobishëm për ndryshimet sociale.”(Këshilli i Europës në rekomandimet për barazinë midis burrave dhe grave në media, nr.R84-17). Mbrojtja dhe pasqyrimi i të drejtave të femrës duhet të jetë objektiv kryesor i medias elektronike dhe asaj të shkruar. Potenciali dhe influenca e organeve mediatike tek audienca duhet të shërbejë për parandalimin ose kurimin e disa plagëve sociale që janë problematike për shoqërinë ku jetojmë. Duke qënë se media nxit dhe monitoron zhvillimin e debatit publik, ajo nuk duhet të kufizohet vetëm me pasqyrimin e rastit të dhunës, por duhet të bëjë një analizë të thellë që të sensibilizojë dhe jo të trondisë psikologjikisht masën. Por cfarë ndodh realisht?!
Mënyra se si media e raporton dhunën në familje ndaj femrës, ndikon emocionalisht audiencën.

Publiku kur bie në kontakt me pamjet vizuale që pasqyrojnë dhunën pozicionohet në rolin e viktimës. Prandaj ky fenomen duhet trajtuar me shumë përgjegjshmëri dhe ndjeshmëri nga ana e gazetarit. Fotografitë transmetojnë me efikasitet të vërtetën e tmerrshme të një situate dhune, ndërsa pamjet filmike provokojnë një tension akoma edhe më të madh. Për këtë arsye është i nevojshëm një redaktim i intensitetit dhe i shkallës së përsëritjes së tyre në edicionet e radhës të lajmeve.(BBC, Udhëzues për gazetarë, Dhuna në familje, fq. 63-64). Televizioni përdor si mjet kryesor të transmetimit figurën, e cila ka fuqinë të fiksojë ngjarjen në kohë dhe hapësirë. Një media prestigjioze kur shfaq në ekran foton e një femre të dhunuar nuk mendon vetëm për efektin sensacional që do të shkaktojë pamja. Edhe nëse audienca rritet e rritet, viktima kurrësesi nuk e koncepton dot efektin “sensacinal”.

Sipas vendimeve gjyqesore të monitoruara për periudhën 01.06.2007 - 30.04.2008, rezulton se dhuna e ushtruar në familje ndaj grave arrin në shifrën 60%. Dhuna e ushtruar ndaj fëmijëve arrin në 5% dhe ajo e ushtruar ndaj grave dhe fëmijëve njëkohësisht arrin në 35%. Në 65% të rasteve dhunuesi me viktimën kanë pasur raporte bashkëshortore. Fenomeni i dhunës konstatohet edhe në ciftet që bashkëjetojnë, edhe pse në përqindje më të ulët.
Disa nga faktorët që favorizojnë dhunën janë: niveli i ulët arsimor, dieferenca në moshë, gjëndja ekonomoke, faktori gjeografik, xhelozia apo formimi moral.
Pasoja më e rëndë e dhunës familjare ndaj femrave është mohimi i të drejtave të tyre njerëzore. Dunimi i vazhdueshëm mund të sjellë edhe vdekjen ose vetvrasjen e vikimës nga pamundësia për ta përballuar tensionin.

Padyshim faji më i madh bie mbi autorët e dhunës, dhe pse një pozicion të rëndësishëm në këtë drejtim ka edhe media. Gjuha që ajo përdor(sidomos në shtyp), në disa raste është tepër e ekzagjeruar me nota letrare. P.sh një vrasje të ndodhur para një viti në burgun e Peqinit, gazetat e cilësojnë si “vrasje shekspiriane”... Cdo ditë biem në kontakt me tituj bombastikë, si: “Kur dashuria tregohet me sopatë”(Koha Jonë, 12.06.2007); “Xhelozia, 35 vjecari ther gruan me thikë”(Shekulli,4.12.2008); “Qëllon gruan me sqepar:më fyentenë sytë e të tjerëve”(Panorama,08.02.2007) Këto raste jo vetëm që nuk analizojnë problemin në thellësi, por krijojnë një lloj natyrëshmërie duke legjitimuar deri diku aktet e dhunës. Nëse vetë media përdor formulime të tilla jo etike, si:”vret motrën prostitutë”, “nëna prostitutë”, “policia kap tre prostituta”..., atëherë cfarë duhet të presim nga masa e gjerë?!

Publiku i pranon skenat e dhunës në filma triller dhe aksion, pra atje ku ngjarja është sa më larg realitetit. Ushtrimi i dhunës nuk mund të konsiderohet kurrësesi si një fenomen normal, prandaj nëse pasojat e dhunës nënvlerësohen ekziston rreziku që ato të bëhen te pranueshme. Duhet të tregohet kujdes në pasqyrimin e skenave që mund të provokojnë imitime me mjete që gjenden lehtësisht, si; thika, cekicë, kazma etj. Lajmet që transmetojnë skena dhune është mirë të transmetohen në orare të përcaktuara. Raportimi i dhunës ndaj femrës nuk mund të nuk duhet të inkurajojë konceptin se ato janë viktima që e pranojnë dhunën. Publiku mashkullor duhet të sensibilizohet dhe jo të nxitet drejt dhunës.

“Dhuna ndaj gruas përbën dhunim të të drejtave njerëzore, si edhe pengesë për arritjen e barazisë, zhvillimit dhe paqes.”(konferenca e katërt botërore e Pekinit, shtator, 1995). Mesazhi mediatik le gjurmë në publik duke rritur ndërgjegjësimin e shoqërisë për faktin se dhuna vetëm i dëmton të dyja palët, dhe duke informuar se ekziston një legjislacion që mbështet viktimat. Media duhet të fokusohet tek problemet jetike për individin dhe shoqërinë. Është detyrë e saj të informojë për ekzistencën e ligjit “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëit familjare’, të miratuar në 01,06.2007. Jo të gjitha femrat e dhunuara janë të informuara për ekzistencën e një legjislacioni që nuk lejon cënimin e integritetit të askujt. Dhe për këtë arsye zëri i medias ka nevojë për volum më të lartë, që ti, unë dhe gjithë të tjerët ta dëgjojnë…

Është praktikisht e pamundur të ndalosh shfaqjen e dhunës në television. Për shkak të mekanizmave psikilogjikë shumë njerëz janë të interesuar pas pamjeve që pasqyrojnë dhunën në përgjithësi dhe atë ndaj femrës në vecanti. “Skenat e dhunës ‘rrisin audiencën’, rrisin fitimet ekonomike të kanalit televiziv, falë tërheqjes së publicitetit. Nëse drejtori i kanalit televiziv heq dorë nga shfaqja e tyre, për arsye etike apo shijeje dëmton kanalin televiziv dhe herën tjetër kur të përsëriten skena të tilla ai do të sillet ndryshe nën trysninë e rregullave të tregut.”(Stefano Zecchi, Njeriu është cka ai sheh;televizioni dhe populli). Pasqyrimi i dhunës pavarësisht se është i dëmshëm, nga ana tjetër është i nevojshëm sepse kështu mediat ushtrojnë presion mbi agresorët dhe informojnë publikun. Mediat e emancipuara duke përkrahur viktimat, synojnë të ndërtojnë një shoqeri moderne dhe demokratike të cliruar nga dhuna.

Komunikimi nëpërmjet dhunës nuk i shërben askujt dhe shoqëria jonë ka nevojë të reflektojë për këtë problem. Ne cdo dite jemi protagonistë ose spektatorë të skenave konfliktuale që provokojnë tension. Media në disa raste e transformon ose e trajton me superlativa ngjarjen. Kur kemi të bëjmë me raportimin e dhunës në familje(por jo vetëm), ekzagjërimi është i tepërt dhe i dëmshëm njëkohësisht. Një femër, viktimë e dhunës së bashkëshortit, padyshim perjeton traumë të dyfishtë kur shikon në ekran pasqyrimin e dhimbjes së saj. Jo gjithcka personale mund të bëhet publike në televizion, jo cdo lloj dhimbjeje mund të ndahet me të tjerët... Si mund të vazhdojë përpara një fëmër e dhunuar nëse media e konsideron atë si nxitëse të dhunës?!

Dhuna përbën një shkelje të të drejtave të njeriut, prandaj ajo smund të paraqitet vetëm si një lajm sensacional, pa analizuar shkaqet dhe pasojat e saj. Media duhet të tregojë më tepër ndjeshmëri dhe seriozitet ndaj këtij fenomeni delikat dhe jo të trondisë psikologjikisht masën. Prioriteti kryesor i saj është informimi i publikut, por jo vetëm. Kjo strukturë gjigante që funksionon përmes komunikimit, kontribuon me të gjitha mënyrat për formimin e opinionit publik. Rritja e audiencës është synim kryesor i cdo medieje dhe për ta arritur këtë gjë ajo nuk kursehet aspak. Por donjëherë duhet patjetër të kufizohet interesi material përpara atij njerëzor...

























Bibliografi

1. Berisha, E.,Gjermeni, E.,Marku,M.,Shtaza,I.,Aleanca Gjinore për Zhvillim,”Dhuna në familje në fokusin e medias”, Tiranë, 2008.
2. Zecchi, S.,”Njeriu është cka ai sheh:televizioni dhe populli.”
3. Dhuna në familje. Përmbledhje artikujsh. Aleanca Gjinore per Zhvillim.
4. BBC,Udhëzues për gazetarët.
5. http://t-r-e-d.blogsport.com/2008/08/stop-dhunës-ndaj-grave.html

No comments: