Tuesday, February 16, 2010

ETIKA NE KOMUNIKIMIN POLITIK

Pedagogët e Gazetarisë: Etika në komunikimin politik, e mangët
• Etika, imazhi, propaganda... Janë këto disa nga karakteristikat e komunikimit politik. Më shumë se në çdo kohë tjetër, në një situatë të ndezur politike del nevoja për të folur mbi gjuhën e politikës dhe mënyrën se si ajo përçohet tek publiku. Emra të njohur të medias shqiptare, pedagogë të departamenteve të Gazetarisë e Letërsisë, u mblodhën dje në Konferencën Shkencore të përvitshme për të debatuar mbi “Komunikimin Politik në Shoqëri”. Emra të njohur si Mark Marku, Artan Fuga, Jonila Godole, Iris Luarasi, Genta Skura Zylyftar Bregu, Holta Shupo, Rrapo Zguri, Ervin Goci, Dhurata Shehri, Persida Asllani, Agron Tufa referuan mbi problematikën e këtij komunikim në kontekstin politik që ndodhet Shqipëria, si imazhi politik shqiptar në kontekstin ballkanas, gazetaria politike pas zgjedhjeve të 28 qershorit, etika në komunikimin politik, simbolika, statusi i dyfishtë tekstual i “komunikimit politik”, roli i internetit, përdorimi i elementëve artistikë si tregues i perceptimit real të politikës, etj. U bë një analizë e asaj çka ofron realiteti politik shqiptar, por edhe shembuj të rrallë komunikimi, si në referatin e Mark Markut, “Komunikimi politik i Rugovës”. Duke iu referuar mbulimit të fushatës në zgjedhjet e 28 qershorit dhe zhvillimeve të mëvonshme politike, u theksua fakti se politika dominon në median shqiptare, ndërkohë që publiku ka nevojë për shumë më tepër. “Ndoshta ka ardhur koha që të shohim sërish, në një mënyrë të re, motivin dhe sloganin: “Personalja është politike”, pasi jetojmë në një kohë kur politika është kthyer në personale. Ne dimë më shumë për pronat e Berishës, sesa për pronat tona, sa herë është ndarë Rama, ndërkohë që duhet të dinim më tepër për politikat e tij mbi arsimin dhe shëndetin. Ajo që me të vërtetë nuk bëjmë mirë është kornizimi i personales në politikë, të shpjegojmë pse, kur dhe ku politika ka rëndësi në jetët tona”, u shpreh pedagogia e gazetarisë, Iris Luarasi. Në këtë konferencë dolën një sërë problematikash dhe mangësish, për përmirësimin e së cilave media duhet të luajë një rol të rëndësishëm.

No comments: